Piloti që do të guxojë këtë kërcim provë Felix Baumgartner, kampioni i zhytjeve në qiell dhe BASE Jumper me një pasion ekstrem për të kapërcyer çdo limit, mund të bëhet personi i parë që do të kalojë barrierën e shpejtësisë së zërit dhe të arrijë shpejtësira supersonike në rënie të lirë gjatë projektit që quhet Red Bull Stratos dhe që është planifikuar të ndodhë në muajt në vijim.
Austriaku 40-vjeçar do të thyejë shumë rekorde botërore që kanë qëndruar të pacënuara për më shumë se gjysmë shekulli kur të ndërmarrë projektin e fluturimit në stratosferë në një lartësi më shumë se 120,000 këmbë (ose 36,576 metra) brenda një kapsule që do të ngrihet nga një balon me helium.
Me të arritur këtë nivel lartësie, Baumgarnter i veshur me një kostum të përgatitur posaçërisht për modifikimin e presionit të ajrit, me helmetë, parashutë dhe një platformë të vendosur në gjoks me regjistrues të dhënash dhe indicatorë, do të hidhet duke pretenduar kështu të jetë personi i parë në histori që do të thyejë rekordin fluturimit të trupit të njeriut me një shpejtësi më të lartë se shpejtësia e zërit.
Vetëm pas afërsisht 35 sekondash nga momenti i fillimit të rënies së tij të lirë, parashikohet që Baumgartner do të kalojë shpejtësinë e zërit. Pas kësaj ai do të tentojë zbritjen drejt tokës me parashutë ku do të pritet nga një skuadër emergjence e cila do të mundësojë zbritjen e kapsulës dhe balonës përmes telekomandimit.
Fizikantët dhe shkencëtarët që përbëjnë ekipin e këtij projekti do të analizojnë të dhënat që do të nxirren nga ky mision dhe do të publikojnë zbulimet e tyre për tu përdorur nga gjithë komuniteti i kërkuesve shkencorë, duke krijuar kështu bazën për hartimin e protokolleve me informacion kritik mbi shëndetin dhe sigurinë e misioneve hapësinore të të ardhmes dhe duke siguruar kështu të dhëna të rralla në lidhje me mbijetesën e krijesave njerëzore në hapësirë.
Joe Kittinger, i cili me kërcimin e tij me parashutë nga 102,800 këmbë (31,333 metra) mbi nivelin e detit, hapi derën për eksplorimin e hapësirës në kuadrin e projektit të tij Excelsior që u zhvillua në datën 16 Gusht 1960, do të jetë pjesë e ekipit të misionit Red Bull Stratos.
Përpjekja e Kittingerit që ka lënë gjurmë në historinë e aviacionit dhe që Baumgartner po përpiqet të tejkalojë, provoi që kostumet me presion të lartë mund të mbronin njerëzit në ambientin e ashpër të stratosferës dhe ishte një nga eksperimentet që ndikoi misionin drejt hënës në vitin 1969.
Data ekzakte e misionit Red Bull Stratos, i cili do të ketë pikënisjen në Amerikën e Veriut, do të vendoset menjëherë pas përfundimit të testimit të pajisjeve dhe pas matjes së faktorëve atmosferikë – kushte këto të domosdoshme për të mundësuar suksesin e kërcimit final të këtij misioni.
Komente
Shtoni një koment