Intervistë me Sofía Mulanovich

Në aktivitetin Red Bull Pimp the Board, 25 vajza të moshës nga 10 në 16 vjeç, projektuan një bord të ri për Sofia Mulanovich, e cila, vitin e kaluar, ishte e para Amerikano-Jugore që hyri në Surfing Hall of Fame. Në një intervistë, 24-vjeçarja na tregon si ishte vetë ajo në adoleshencë, si e kalon kohën jashtë sezonit dhe çfarë planifikon për garën që do të hapet në Australi, në 23 Shkurt.

Në fund të aktivitetit Red Bull Pimp the Board, ju i dhatë një leksion surfi vajzave pjesëmarrëse. A ju kujtonte entuziazmi i tyre diçka nga koha kur ishit si ato, 10 vjet më parë?

Po, shumë nga vajzat që takova në aktivitetin Red Bull Pimp the Board, më sollën ndër mend pak nga vetja ime në atë moshë, edhe unë si ato shijoja garat dhe kisha gjithashtu një shpirt shumë të lartë gare. Kur isha 14 vjeç, isha pak e ndrojtur dhe e vetmja gjë që doja ishte të bëja surf gjithë ditën. Mendoja gjithmonë për të ardhmen dhe për kohën kur do të merrja pjesë në turne. Tani kur shikoj mbrapa, mendoj se kam ndryshuar shumë. Kam marrë pjesë në gara prej shumë vitesh tashmë, kam humbur dhe fituar shumë gara, e gjitha kjo më ka bërë të fitoj shumë eksperiencë. Akoma është një sport që më tërheq shumë, por ky është lloj tjetër entuziazmi krahasuar me atë që kisha kur isha më e re.

Në aktivitetin Red Bull Pimp the Board, ju duhej të vendosnit mbi dizajnin e bordit me të cilin do të garoni gjatë gjithë sezonit. Cila është gjëja që ju pëlqen më shumë te ky bord?

Unë zgjodha një bord që kishte emrin tim të vizatuar me grafiti sipër tij. Më pëlqen pasi është punuar shumë mirë, ka ngjyra të bukura dhe nga ana artistike duket i përkryer. Jam e sigurt se do të më sjellë fat.

Në dallim nga sportet e tjera, periudha e pushimit midis sezoneve në surfing është shumë e shkurtër. Si e keni kaluar kohën që nga hera e fundit kur ishit në Honolulu?

Kam qenë në shtëpinë time në Peru muajin e kaluar dhe ka qenë një periudhë e mrekullueshme! Kam kapur disa valë shumë të mira duke u përpjekur të përgatitem për vitin tjetër. Më pëlqen të mendoj për garën që vjen sepse kjo më entuziazmon dhe më motivon të stërvitem dhe të bëj surf më mirë.

Gjatë kohës tuaj të lirë, e hidhni bordin tuaj në bodrumin e shtëpisë për t’u qetësuar disi – apo tema e surfing është gjithashtu mbizotëruese edhe kur nuk jeni duke u stërvitur?

Unë akoma vazhdoj të bëj surf pothuajse çdo ditë edhe jashtë sezonit, kjo vetëm sepse unë e dashuroj surfing dhe më pëlqen të jem pranë ujit edhe kur jam me familjen ose me shoqërinë.

Gara e parë e sezonit të ri fillon në Australi, në datën 23 Shkurt. Mund të na shpjegoni diçka rreth atmosferës dhe veçantive të Roxy Pro në Gold Coast?

Titulli Roxy Pro në Gold Coast është një garë me të vërtetë e madhe. Është gara e parë e vitit dhe tërheq gjithmonë shumë spektatorë, është një garë që ja vlen t’a fitosh. Unë vetë kurrë nuk j’a kam dalë mbanë në Gold Coast, kështu që është gjithmonë shumë entuziazmuese dhe sfiduese në të njëjtën kohë për mua të shkoj të konkurroj atje çdo vit. Por kam besim se këtë vit do të dal shumë mirë.

Në vitin 2007, vetëm për 761 pikë më shumë, do të kishit arritur fitoren e përgjithshme në ASP Women’s World Tour, – pak a shumë sa pikët që duhen për të fituar një podium. Çfarë mendoni se duhet të përmirësoni në mënyrë që të fitoni kundër Stephanie Gilmore në 2008?

Ashtu është, isha me të vërtetë shumë afër vitin e kaluar, dhe sikur vetëm disa momente surfi të kishin qenë të miat vitin e kaluar, do t’a kisha fituar titullin. Por gjërat ndodhin për një arsye, dhe jam e lumtur për rezultatin që arrita. Në 2008 mendoj se duhet të kem pak më shumë durim me seancat përgatitore dhe të bëj surf me më shumë zgjuarsi. Femrat në surfing, kanë arritur nivele të pabesueshme, jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj.

Çfarë synimesh të tjera i keni vënë vetes për këtë vit?

Synimi më i madh është gjithmonë të marr një titull tjetër dhe të rrëshqas mbi çdo valë që kap sa më mirë që të kem mundësi. Kam një ndjesi shumë të mirë për 2008, dhe ndihem pozitive dhe e përgatitur.

Sporti Surfing nuk është përfshirë në Lojërat Olimpike në Pekin pavarësisht shumë viteve përpjekje. Ju duket padrejtësi kjo gjë – apo shpirti i garave dhe filozofia që qëndron pas sportit të surfing nuk përshtatet me Lojërat gjithsesi?

Sigurisht mendoj se surfing duhet të ishte pjesë e sporteve Olimpike. është një sport shumë i bukur dhe është shumë argëtues për t’u parë. Shpresoj se një ditë kjo do të ndodhë.

Intervistë me Sofía Mulanovich

Komente

    Shtoni një koment

    Duhet të plotësoni të gjitha fushat
    Keni në dispozicion jo më shumë se 2000 shkronja :
    Shkruani kodin Captcha, pastaj klikoni "Postoni një koment"

    Detajet e Artikullit