Stefan Glowacz është në fazën e fundit të përgatitjeve për ekspeditën e tij të alpinizmit. Mendja dhe zemra e tij janë që tani në ishullin Bafffin në bregun verior të Kanadasë. Në pjesën e dytë të intervistës sonë ai flet për pasionin dhe situatat që rrezikojnë jetën.
Filmi për përpjekjet e tua për vite me radhë me Cerro Murallon, “murin e harruar” u filmua në akullnajën e pafund të Patagonisë dhe quhet “Të përballosh obsesionin”. Sa e hollë është vija ndarëse ndërmjet obsesionit dhe varësisë ndaj alpinizmit ekstrem?
Unë preferoj ta quaj pasion dhe jo varësi – gjithashtu ndonjëherë të kap vorbulla dhe nuk kupton dot më asgjë tjetër veçse qëllimin tënd. Por pasioni është i rëndësishëm për secilën fushë të jetës nëse do të arrish të bësh diçka të madhe. Arritjet e konsideruara si “të mjaftueshme” ndoshta nuk kanë nevojë për pasion. Por ama, ato mbeten thjesht të mjaftueshme.
Si zhvillohet ideja për një projekt si ekspedita në ishullin Baffin?
Zakonisht nuk ka ndonjë katalizator specifik. Magjepsja lind nga ballafaqimi me librat, reportazhet nëpër gazeta dhe fotografi që t’i zë syri diku. Për shembull, në fillim të ekspeditës sime të parë më nxiti romani i Arthur Conan Doyle, “Botë e Humbur”: siç e dini, në Venezuelë u ngjita në një rrafshnaltë shumë të lartë ku flora dhe fauna kishin mundur të zhvilloheshin në izolim për kushedi se sa vite.
Pra është fjala për marrëdhënien tuaj më natyrën, me këtë lloj projekti? A përbën natyra një kundërshtar me të cilin duhet të ndesheni? Apo është ‘E plotfuqishmja” ndaj së cilës ndiheni plotësisht i nënshtruar?
Nëse e konsideron natyrën si kundërshtar është një lloj sikur të bie shorti i keq. Jo, duhet të pranosh se je i huaj në këtë mjedis, dikush që duhet t’i përshtatet kushteve sa më mirë që të mundet. Shkoj atje i ndërgjegjshëm se do të ngrij nga të ftohtët gjatë gjithë kohës dhe se më presin katër deri në gjashtë javë agoni.
Çfarë roli luan rreziku? A është rreziku se mund të vdesësh pjesë e motivimit tënd?
Jo, e kam kaluar prej kohësh moshën kur ndodhte kështu. Megjithatë duhet ta pranoj se dikur më ka nxitur shumë një rrezik i tillë. Pastaj, një herë ndodhi që u rrëzova dhe u vrava keq. E interpretova atë ngjarje si një shenjë që më tregonte se nuk është e nevojshme ta sfidosh fatin.
Ndoshta gruaja dhe fëmijët tuaj nuk do të kishin asgjë kundër sikur të kishin një bashkëshort dhe një baba i cili do të kënaqej me paketat e pushimeve “të gjitha të përfshira” në vend të udhëtimeve fillikat drejt akullnajave?
Oh, nuk e di këtë. Pa këto përvoja do të isha krejt tjetër njeri. Por sigurisht nuk është edhe aq e lehtë për time shoqe ta pranojë nevojën që kam për aventura. Por sikur të ndërronim vendet dhe të shkonte ajo nëpër ekspedita krejt e vetme, ndoshta unë nuk do të mund ta përballoja aspak një situatë të tillë.
Meqenëse jemi tek familja: Edhe këtu ju nuk kënaqeni me sfidat e zakonshme: pra në vend që të bëheshit me një fëmije, u bëtë me trinjakë. Çfarë note meriton për këtë shkallë të vështirësisë familjare, 9?
Në fakt të dy së bashku, kemi pesë fëmijë pasi ime shoqe pati dy fëmijë nga lidhja e saj e mëparshme. Ia kalojmë shumë mirë së bashku… por, thënia që sa më shumë rriten fëmijët, aq më shumë lehtësohen gjërat, është vetëm një gënjeshtër. Pasi është një punë shumë e vështirë t’u mësosh fëmijëve mbi vlerat që bëjnë të zhvillohet karakteri i tyre në botën tonë që lëviz para pa pushim. Prandaj do të bëja një korrigjim dhe do të thoja se nota është 8. Nga ana tjetër, në disa aspekte të tjera do të meritoja një 9.
Komente
Shtoni një koment