ORLANDO DUQUE U BË ZHYTËSI MË I MIRË në botë vetëm në sajë të futbollit: “Bëja shpesh stërvitje në një fushë futbolli që gjendej pranë pishinave të notit në Cali, dhe pas gjithë lodhjes dhe djersitjes, më pëlqente të shkoja te pishinat të shikoja zhytësit. Në njërën nga këto vizita, njëri nga trajnerët më pyeti nëse doja të mësoja si të zhytesha. I thashë po”.
Në atë kohë, kur isha vetëm 10 vjeç, ujin nuk e kisha mikun tim më të mirë: “Nuk më pëlqente fare të bëja dush. Më pëlqenin shumë pishinat dhe nëna ime më shoqëronte pothuajse çdo fundjavë atje, por kur fillova të stërvitesha për zhytje, ende nuk isha i sigurt nëse dija mirë të notoja apo jo. Mund të rrija mbi ujë, por nuk isha i sigurt nëse mund të dilja në sipërfaqe nga pjesa më e thellë e pishinës”. Ai ka lindur në një 11 Shtator, mos vallë fati i tij ishte i lidhur në një farë mënyre me rëniet? Ai pësoi një aksident të zakonshëm për fëmijët e asaj moshe: kishte rënë nga një pemë mangoje. Në netët e tij pagjumë, ai përsëriste zhytjen e tij përsëri e përsëri në ekranin e improvizuar nga imagjinata dhe ëndërronte shumë shpesh sikur binte nga pemë, çati shtëpish, shkëmbinj ose edhe rënie të lirë në ajër.
I rrëmbyer nga kthetrat e sportit më popullor në botë, Orlando, 32 vjeç, u bë një i pasionuar pas natyrës, që mërzitej nga zhytjet në ujërat blu kuadrate të pishinave dhe së arrituri shpejtësinë nga 0 në 100 km/orë në vetëm 3 sekonda dhe kështu vendosi të kërkonte shkëmbinjtë më të thepisur të botës: “Ky pasion për zhytje ekstreme ka gjithçka që më pëlqen në sportet e zakonshme zyrtare me entuziazmin ekstra të zhytjes në vende të ndryshme. Kam qenë me fat; kam arritur rezultate të atilla që më kanë bërë të mundur të shëtis në të gjithë botën”.
Një nga këto vende është Havai, ku aktualisht ai jeton. Bëhet fjalë për një shkëmb të shenjtë në të cilin ai ka fituar një numër të madh titujsh dhe nga i cili në shekullin XVIII, mbreti Kahekili zhytej në hapësirë bashkë me luftëtarët e tij për të vënë në provë trimërinë dhe besnikërinë e tyre: ‘Kur organizuam kampionatin botëror të zhytjes nga lartësi të mëdha në vitin 2000, na u desh të bashkëpunonim me vendasit që e kuptonin dhe e njihnin historinë e atij vendi që të na shpjegonin mënyrën më të mirë për tu zhytur pa ofenduar paraardhësit e tyre të lashtë. Ideja ishte të përkujtonim dhe të sillnim në jetë edhe një herë respektin për një mbret të dashur për popullin që ndante të njëjtin pasion me ne për zhytjen”.
Shumë gjëra ndodhën në jetën e Orlandos përpara se të shkonte të vendosej përfundimisht në Havai. Në Kolumbi, ai praktikoi disiplinën zhytje olimpike për 10 vjet me radhë dhe ishte gati për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Barcelonës në vitin 1992: “na dhanë një rezultat që unë dhe një tjetër zhytës kolumbian, Cesar Suarez, duhej ta kalonim me qëllim që të merrnim pjesë në Lojërat Olimpike. Të dy ja dolëm mbanë dhe mezi po prisnim të shkonim në Spanjë. Pas ca kohësh na thanë që komiteti kishte vendosur që nuk kishte më vend për zhytës të tjerë. Fillova të mendoj se ata na kishin dhënë një objektiv aq të lartë me shpresën që ne nuk do të arrinim ta kapnim, por ne ja dolëm”. Pas kësaj padrejtësie ai u lodh nga monotonia e të zhyturit gjithmonë në një pishinë noti.
Zgjidhja erdhi nga një shok i tij, Mario Olave; ai kishte punuar në një park argëtimi në Austri që quhej Safaripark Ganserndorf, në Vienë dhe e ftoi të shkonte atje. Ai nënshkroi një kontratë tre vjeçare që të bënte vetëm një punë: të maskohej si kloun dhe të zhytej në ujë nga lartësia prej 25 metrash e një vinçi drejt e në një pishinë noti plot me zjarr, me diametër 7 metra dhe thellësi 3 metra: “nga ajo lartësi, pishina dukej në madhësinë e një tavlle cigaresh. Më vonë një park në Havai e ftoi të bënte zhytje të ngjashme dhe ai u dorëzua përpara kërcimit havaian të një kërcimtareje me një fund prej kashte, Lee Ann. Ata u martuan dhe jetojnë në një shtëpi vetëm 100 metra larg plazhit të një qyteti të vogël, Laie, 40 minuta larg nga pjesa më e bukur e ishullit: Honolulu. Ata jetojnë me prindërit dhe kanë një kopsht me banane, arra kokosi, papaja dhe limona.
DUQUE, ËSHTË SHPALLUR NËNTË HERË KAMPION BOTE në zhytjen ekstreme, me inkurajimin e Red Bull, për të marrë pjesë në kampionatet që kjo kompani ka organizuar anembanë botës nga Havai, në Itali, Monako e deri në Australinë e largët.
Në vitin 2000, zhytja që ai realizoi në kampionatin e parë botëror të zhytjes së lirë, Red Bull Cliff Diving, jo vetëm që i dhuroi titullin kampion bote, por u regjistrua edhe në librin e rekordeve Guinness. Gjyqtarët e kampionatit e vlerësuan zhytjen e Orlandos me rezultatin më të lartë: 10 pikë nga 10 të mundshme. Ai gjithashtu ka realizuar zhytje në vende të ndryshme si në Bosnje, Malin e Zi – këtu ai ankohej për ushqimin që është gjithmonë me shumë yndyrë – dhe tre muaj më parë ai përfundoi një kurs parashutizmi në Spanjë: “Dikur kisha një frikë shumë të madhe nga hedhja nga aeroplani, tani jo më”. Princi i Monakos dhe Orlando janë miq të mirë, ata lundruan së bashku me anijen e princit për 40 orë deri në Malpelo për të realizuar një zhytje, sepse ekuipazhi i anijes i sugjeroi të kufizoheshin vetëm me një vizitë sa për të eksploruar ishullin dhe të riktheheshin më vonë. Por udhëtimi i tij më i gjatë ka qenë nga Honoluluja në Atlanta dhe jo vetëm nga distanca e udhëtimit por edhe sepse në avion ai kishte vështirësi për të qëndruar ulur për shkak të një frakture në kockat e legenit që pësoi në një konkurrim në Havai në vitin 2002: “Për dy muaj rresht mund të qëndroja ulur vetëm në një krah. Por nuk pushova së ushtruari në sportin e zhytjes, fillova të ngjitem lart e më lart dhe brenda 2 javësh isha sërish në gjendje të zhytesha nga një distancë prej 22 metrash. Përveç aksidentit në vitin 1992, kur theva kyçin në Kali, në vitin 2003 gjatë stërvitjes pësova një shembje në kokë dhe përfundova në emergjencën e spitalit me një humbje të përkohshme të kujtesës për 12 orët përpara aksidentit”. Megjithatë, asgjë nuk i ndodhi kur realizoi zhytjen nga lartësia më e madhe prej 34 metrash, që u realizuar për filmin 9 Dives, të drejtuar nga regjisori dhe miku i tij i ngushtë Mario Kreuzer”.
Së bashku me Kreuzer, ai përfundoi një dokumentar në vitin 2006 që trajtonte temën e cunamit të vitit 2004. Ata udhëtuan nëpër Tajlandë, vizituan organizatat vullnetare që punonin në rajon, si dhe nëpër jetimoret ku fëmijët e mbetur jetimë u nënshtrohen terapive të ndryshme kuruese përmes lojës dhe notit për t’i ndihmuar fëmijët të kalojnë traumën që pësuan nga tragjedia. Orlando do të bëjë diçka në lidhje me historitë dhe legjendat e Kolumbisë dhe vendeve të tjera të Amerikës Latine: “ne kemi vende ku mund të zhytesh në ujë nga lartësi të mëdha dhe të tregojmë në këtë mënyrë thesaret natyrore që ka ky rajon”.
Orlando stërvitet pesë deri në gjashtë herë në javë, kërcen shtatëdhjetë herë në një shtrat elastik, pesëdhjetë herë në një pishinë noti, kalon dy deri në tre orë në ditë në ujë, pi tre kanaçe Red Bull në ditë – pija që e sponsorizon – herë pas here konsumon Red Bull dhe me vodka, lexon – tani po lexon The Namesake, nga Jhumpa Lahiri, dhe libri i tij i preferuar është Ensayo sobre la ceguera, nga Jose Saramago – vrapon në mëngjes, bën stërvitje për muskujt, pasdite nget biçikletën, shkon në palestër dhe tre herë në javë shkon në pishinë për tu stërvitur posaçërisht për zhytjet. Sigurisht përveç kalendarit shumë të ngjeshur me aktivitete sportive ai nuk lë mënjanë koncerte nga grupe apo këngëtarë të preferuar si U2 apo Pearl Jam. “Vite më parë, kur zhytesha dëgjoja në sfond Elevation nga U2”. Megjithatë, siç thotë vetë ai, ndërsa bie në rënie të lirë, ai nuk mund të dëgjojë asgjë. “Nuk mund të ha asgjë ditën që do të shkoj të konkurroj. Duhet të detyroj veten të ha mëngjes dhe ta ruaj atë energji për gjithë ditën. Pesëmbëdhjetë minuta përpara zhytjes zemra më rreh shumë më shpejt se normalisht, një minutë përpara përqendrohem i tëri në në hapat që do të kryej gjatë zhytjes në mënyrën e duhur për të mënjanuar çdo aksident, kur jam në platformë, harroj gjithçka që kam përreth, vetëm përqendrohem në kërcimin dhe në ajër jam vetëm për 2 apo 3 sekonda që duken një përjetësi, dhe ndërsa fiton shpejtësi, ndjen erën që të përplaset në fytyrë, e vetmja gjë që dëgjon është një zhurmë si gumëzhimë.
Është me të vërtetë e habitshme të shikosh sesi truri mund të punojë aq shpejt, sepse mund të përpunoj shumë informacion, aq shumë sa të më shkojë mendja edhe që të hap sytë – si rregull duhet ti kem gjithë kohës sytë mbyllur siç të mëson shkolla klasike e zhytjes – përpara manovrës së fundit për të parë pikën ku do të zhytem në ujë dhe për të llogaritur sa çaste më mbeten deri në momentin kur prek ujin, pastaj i mbyll sytë përsëri, zhytem në ujë me një shpejtësi prej 100km/orë dhe kur dal nga uji, duart më dridhen dhe nuk më ndahet një buzëqeshje nga fytyra”.
Komente
Shtoni një koment