Piloti i Red Bull Racing, me fjalët e tij: Një përmbledhje e sezonit të kaluar për David Coulthard personalisht.
David mbi ... pikët që nuk u morën:
Në fund të fundit, suksesi matet me pikët e marra dhe rezultatet në pistë. Dëshira është për të fituar Çmimin e Madh dhe bazuar në këtë, është e dukshme që ne nuk kemi arritur aq sa kemi dashur. Por, pasi kemi thënë këtë, dihej që ky vit do të ishte për Adrian Newey një rrugëtim për të zbuluar e kuptuar çfarë mjetesh kishte në dispozicion për të përdorur te Red Bull. Më parë ai ishte mësuar me sistemet e McLaren, në krijimin e të cilave ai vetë kishte marrë pjesë, dhe kur erdhi te Red Bull, ai trashëgoi një sistem tjetër ekzistues të ndryshëm nga ai më të cilin ai kishte punuar.
David mbi ... zhvillimin e skuadrës:
Në fillim u panë disa rezultate pozitive nga provat e Red Bull por që nuk arritën të materializohen me rezultate konkrete në pistën e garave. Skuadra kishte nevojë të mësonte cilat ishin pengesat dhe me kalimin e vitit në kuptuam shumë më tepër. Duke hedhur vështrimin në vitin e ardhshëm dhe duke parë zhvillimin e makinës për vitin tjetër, kam shumë besim që do të jemi në gjendje të hedhim hapin e duhur për të arritur rezultate më të larta. Në 2008 do të vazhdojmë bashkëpunimin me Renault, gjë e cila ka funksionuar më së miri, dhe do të vazhdojmë gjithashtu të përdorim gomat Bridgestone. Skuadra duket shumë mirë – është rritur dhe po arrijmë në pikën ku do të kemi fuqitë e nevojshme për të ndërtuar makinën e cila do të jetë shumë konkurruese në Formula One.
David mbi ... mësimet që morëm nga viti 2007:
Tendenca e përgjithshme e vitit ka qenë që Marku ishte përgjithësisht më i shpejtë në fazën kualifikuese dhe unë kam qenë pak më i shpejtë në gara. Kemi pasur disa probleme me besueshmërinë e makinës dhe disa aksidente në pistë, por në fund të fundit, kjo është gara për Çmimin e Madh. Ne ishim përpara Hondës dhe Toyotas në Renditjen për Konstruktorët – dy prodhues të mëdhenj të cilët kanë vite që investojnë në F1, pra i meritojmë disa nota pozitive për këtë.
David mbi ... ecurinë e tij gjatë vitit të kaluar:
Unë i dashuroj garat për Çmimin e Madh, kështu që jam i kënaqur që i shfrytëzova të gjithë mundësitë që m’u dhanë për të garuar të dielave. Sigurisht, kanë qenë shumë të bezdisshme problemet që kemi pasur me besueshmërinë e makinave dhe unë kam bërë shumë gabime në pistë, si në Australi kur u përplasa me Alex Wurz, por, përveç kësaj, unë jam shumë insistues dhe po bëj më të mirën në pistë për të ndihmuar skuadrën të ecë përpara, duke përdorur eksperiencën që kam fituar te Williams dhe McLaren. Skuadra po rritet; ka shumë njerëz të përgatitur te skuadra Red Bull Racing dhe shumë punonjës të cilët kanë ardhur nga skuadra të tjera dhe kanë arritur pozicione më të larta brenda skuadrës Red Bull. Ata kanë marrë përsipër shumë përgjegjësi dhe janë rritur në rolet e tyre, pra e gjithë kjo është një periudhë e mrekullueshme për skuadrën. Kjo është një nga gjërat që dëshiroj të shikoj jashtë pistës –qindra njerëz që punojnë në harmoni së bashku për të arritur një qëllim të përbashkët.
Komente
Shtoni një koment