Moto Meeting Prishtina 2009, këtë vit pati një mysafir të veçantë. Për të gjithë të apasionuarit e sporteve motorike, si dhe për spektatorët e shumtë të mbledhur në sheshin Newborn, Chris Pfeiffer ofroi një shfaqje të rrallë.
Një mysafir i veçantë nënshkroi në Prishtinë monumentin NEWBORN. Christian Pfeiffer, motoçiklisti me famë botërore që mbështetet nga kompania Red Bull, ishte ftuar nga Shoqata e motoçiklistëve “Shqiponjat” për të marrë pjesë në Moto Meeting Prishtina 2009 – një aktivitet ky i përvitshëm që mbledh qindra të apasionuar pas sporteve motorike nga Kosova e viset e tjera shqiptare.
Chris Pfeiffer realizoi një shfaqje stunt riding me motoçikletën e tij BMW F 800 R përpara më shumë se 2500 të rinjve të Prishtinës të mbledhur në të dy anët e rrugës përpara Pallatit të Rinisë. Wheelie, Stoppie, Donut (emërtimet në gjuhën angleze) ishin vetëm disa nga numrat që janë specialitet i Chris Pfeiffer dhe me realizimin e të cilave ka fituar disa herë tituj kampion bote dhe Evrope. Shfaqja e tij u shoqërua gjatë gjithë kohës me brohoritje dhe duartrokitje të shumta nga të pranishmit dhe veçanërisht nga mbi 150 anëtarët e shoqatës “Shqiponjat” për të cilët ky është një spektakël i vërtetë adrenaline.
Për shumë prej motoçiklistëve të pranishëm, Chris Pfeiffer është tashmë idhull dhe një frymëzim për të vijuar rrugën në sportin e Stunt Riding.
Për Chris kjo ishte hera e parë që gjendej në kryeqytetin e shtetit më të ri të Kosovës – Prishtinë. Ai vizitoi disa nga objektet historike të qytetit si monumenti NEWBORN dhe Biblioteka Kombëtare por ndryshe nga turistët e zakonshëm Chris në vend të aparatit fotografik kishte me vete motoçikletën e tij.
Chris vjen në Kosovë pas një turneu shumë të ngjeshur aktivitetesh të tilla të zhvilluara në shumë vende të ndryshme të botës.
Chris shoqërohej nga Rok Bagoros, një sportist 19 vjeçar nga Sllovenia i cili filloi ti përkushtohej sportit Stunt Riding pikërisht i ndikuar nga Chris që është edhe idhulli i tij. Ishte hera e parë që Rok merrte pjesë në një shfaqje të tillë dhe emocionet që ai kishte përpara shfaqjes ishin të natyrshme.
I pyetur nga gazetarët e pranishëm, Chris tregoi se Rok është një shembull shumë i mirë për të rinjtë me një interes në fushën e sporteve motorike pasi numrat që ai realizon kryhen me një motoçikletë Scooter që përdoret masivisht nga të rinjtë.
Chris thotë se ka realizuar ëndrrën e tij – të jetë një sportist profesionist në disiplinën Stunt Riding – vetëm pas një punë shumë vjeçare të lodhshme dhe duke qenë vazhdimisht në kërkim të sfidave të reja. Familja e tij, gruaja Renate dhe 3 fëmijët, janë një burim frymëzimi dhe mbështetjeje të përhershme në karrierën e tij sportive.
Komente
Shtoni një koment