Të premten mbrëma një turmë prej 40,000 fansash zunë të gjitha vendet dhe përjetuan një luftë të çmendur mes 12 motoçiklistëve më të mirë të botës së FMX-së në sheshin e kuq para Kremlinit të njohur në mbarë botën. I riu Levi Sherwood (ZLR) e tregoi klasin e vet kur mposhti në finale Nate Adams (SHBA) dhe kështu duke marrë fitoren e dytë në turneun e Red Bull X-Fighters 2010.
Turneu Botëror i Red Bull X-Fighters ndalet në Rusi për herë të parë në histori dhe jo më pak se 250 ngarkesa dheu transformuan pllakat e sheshit të kuq në zemrën e kryeqytetit Rus në një arenë të denjë për të mirëpritur motoçiklistët më të mirë të planetit. Me temperaturat që shkonin deri në 35 gradë Celsius, ishte 18 vjecari Levi Sherwood i cili u hodh përmes ajrit e brenda zemrave të fansave Rus, të ngjeshur si sardele në vendin historik: “Arena e vështirë në këtë vend ishte pikërisht e bërë për mua. Kjo ditë ka për të lënë shenjë në histori.”
Vetëm disa metra nga muret lindore të Kremlinit, stile spektakolare, rrotullime të pabesueshme dhe hungërimat e motorëve me sistem me 2 pistonash aerodinamik, përvëloi mijëra fansa rreth arenës. Sheshi legjendar në zemër të Moskës, një trashëgimi kulturore botërore e UNESCO-së që prej vitit 1990, ishte mbushur plot e përplot. “Presioni ishte shumë i madh, arena ishte shumë e vështirë dhe nxehtësia ishte një problem për të gjithë dhe sidomos fansat,” shpjegoi finalisti i mundur Nate Adams (SHBA).“ Është një ndjesi e pabesueshme të hidhesh këtu. Vetëm performimi në Amerikë, në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë do të ishte e barabartë me këtë!”
Andre Villa vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimeve në Turneun Botëror Red Bull X-Fighters 2010, pasi doli i treti në Moskë. Austriaku Robbie Maddison, i famshëm për hedhjet e tij mbi Tower Bridge në Londër dhe kërcimin mbi Kanalin e Korintit në Greqi, nuk e arriti kualifikimin për gjysmë-finale, pasi nuk mundi të realizojë një zbritje normale, dhe kështu doli i pesti. Japonezi Eigo Sato vazhdoi në gjysmë-finale, por u rendit në vend të katërt pas humbjes në duelit me Adams.
Spanjolli Dany Torres dhe suedezi Mat Rebeaud, çunat që u rikthyen pas disa dëmtimeve, nuk ishin në gjendje të mbanin të njëjtin hap me më të mirët e FMX-së në Moskë, duke u renditur respektivisht në vendin e gjashtë dhe të dhjetë.
Destinacionet e kaluara kanë qenë Mexico City (MEKSIKË), Kairo (EGJIPT) dhe më e fundit Moskë (RUSI). Vendet që do të pasojnë turneun më të madh të freestyle motocross do të jenë arena e mundjes me dema “Plaza de Toros de las Ventas” në Madrid për eventin tjetër të sezonit në 22/23 korrik 2010 dhe më pas 2 shfaqjet finale të sezonit në Londër (BRITANI E MADHE) dhe në Romë (ITALI).
Rezultatet finale, Red Bull X-Fighters Moskë / Rusi janë: 1. Levi Sherwood (NZL), 2. Nate Adams (USA), 3. Andre Villa (NOR), 4. Eigo Sato (JAP), 5. Robbie Maddison (AUS), 6. Dany Torres (ESP), 7. Adam Jones (USA), 8. Cameron Sinclair (AUS), 9. Jim McNeil (USA), 10. Mat Rebeaud (SUI), 11. Alexey Kolesnikov, 12. Blake Williams (AUS).
Komente
Shtoni një koment