Sebastian Vettel
Të dhënat e Sebastian
Rreth Sebastian
Kur shikon Sebastian Vettel nuk ta merr mendja se ai është sot për sot talenti më premtues në Formula 1. Me një trup të hajthëm, buzëqeshje fëmijërore dhe një sens të hollë humori, ai nuk të jep përshtypjen e një piloti garash. Por pas pamjes së jashtme rinore e moskokëçarëse, fshihet një vendosmëri e çeliktë, aftësi e jashtëzakonshme në gara dhe një kontroll i pabesueshëm i makinës. Duket sikur gjithçka ka qenë e lehtë për njeriun i cili u bë piloti më i ri në historinë e F1 që fitoi një pole position dhe më pas krejt garën në Monza në vitin 2008.
Sebastian Vettel hyri në historinë e F1 në çmimin e madh në Turqi, ku ai thjesht si piloti i BMW Sauberm që merrte pjesë në gara vetëm të premteve, u bë piloti me moshën më të re që mori pjesë në gjithë fundjavën e garës. Dhe që ditën e parë që u vu në qendër të vëmendjes, ai vendosi kohën më të shpejtë në pistën që konsiderohet nga ekspertët si pista më impenjative në të gjithë kalendarin e garave.
Vettel ka qenë pjesë e familjes së Red Bull prej shumë vitesh tashmë dhe gjurmuesit e talenteve duket se kanë qëlluar në shenjë me fëmijën e këndshëm nga Heppenheim në Gjermani. Pas sjelljes së tij prej adoleshenti moskokëçarës, fshihet një mendje e mprehtë dhe një dëshirë e papërmbajtshme për të fituar, diçka që ai e praktikoi shpesh në pistat mësimore të Formula BMW. Si ju duket për shembull 18 fitore nga 20 gara? Ose 15 pole positions, 16 xhirot më të shpejta dhe 387 pikë të grumbulluara nga 400 të mundshme?
Debutimi i tij i parë në garat e F1 ishte në çmimin e madh të USA në vitin 2007, kur ai zëvendësoi kolegun e tij të skuadrës Robert Kubica pasi ky i fundit kishte pësuar një lëndim. Ai u rendit i teti. Karriera e tij e plotë filloi pak më vonë po atë vit kur ai u shfaq në Hungari për herë të parë me uniformën e skuadrës Toro Rosso. Arritja e tij më e mirë gjatë sezonit të tij të parë në F1 ishte renditja në vendin e katërt në garën e Kinës, e cila kompensoi për zhgënjimin dhe mosmarrëveshjet që shoqëruan përplasjen e tij me shokun e ardhshëm të ekipit Mar Webber një javë më parë në Fuji, kur të dy kishin shanse shumë të mira për tu ngjitur në podium.
2008 nuk pati një fillim të mbarë, duke pasur parasysh se Sebastian arriti të plotësojë gjithsej 39 xhiro në katër garat e para, por pas këtyre “dështimeve” erdhi ajo fitore historike në Monza dhe më pas kalimi në skuadrën Red Bull Racing. Nisi me një fillim të shkëlqyer, duke i dhënë skuadrës fitoren e parë të shoqëruar me vendin e dytë po nga e njëjta skuadër në çmimin e madh të Kinës përpara se të përsëriste një fitore të dytë në çmimin e madh në Angli.