Atmosferë elektrizuese dhe emocione deri në sekondat e fundit karakterizuan Finalen Kombëtare të Red Bull Four 2 Score, e cila u zhvillua në Sheshin Italia në Tiranë. Pas një dite plot përballje intensive dhe spektakël futbolli urban, skuadra Ginga Street u shpall kampione e edicionit, duke triumfuar në finalen e madhe përballë Shqiponjat FC me rezultatin 1-0.
Turneu solli në kryeqytet formatin unik të Red Bull Four 2 Score – pa portierë, me lojë të shpejtë dhe aksion të pandërprerë – ku reflekset, koordinimi dhe teknika në fushë bënë diferencën.
Finalja mes Ginga Street dhe Shqiponjat FC dhuroi emocione të forta për publikun e pranishëm në Tiranë, me të dy ekipet që treguan nivel të lartë gare dhe shpirt sportiv. Goli vendimtar i dha fitoren ekipit Ginga Street, i cili tashmë siguron pjesëmarrjen në Finalen Botërore të Red Bull Four 2 Score që këtë vit do të zhvillohet në Toronto, Kanada.
Eventi mblodhi dhjetëra sportdashës, tifozë dhe ekipe nga e gjithë Shqipëria, duke e kthyer Tiranën në qendrën e futbollit të rrugës për një ditë plot energji dhe adrenalinë.
Red Bull Four 2 Score vazhdon të sjellë një eksperiencë ndryshe sportive për të rinjtë, duke promovuar lojën dinamike, frymën e ekipit dhe pasionin për futbollin.